SPAK: Grup i strukturuar kriminal në AKSHI – Zbardhen akuzat dhe masat e sigurisë për zyrtarët dhe biznesmenët

Data

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me urdhër-arrestet dhe masat e sigurisë të vendosura ndaj zyrtarëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe disa biznesmenëve, të dyshuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar se personat nën hetim kanë vepruar në bashkëpunim, duke ndërhyrë në procedura tenderimi, vendosur kritere të paligjshme dhe favorizuar kompani të paracaktuara, në dëm të konkurrencës së lirë. Po ashtu, përmes presionit, shantazhit dhe dhunës, përfaqësues të kompanive konkurrente janë detyruar të heqin dorë nga ankimimet, duke garantuar fitoren e subjekteve të favorizuara.

Në njoftim theksohet se një pjesë e administratorëve të kompanive kanë marrë pjesë vetëm formalisht në tendera, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive dhe kanë kryer transaksione financiare për subjekte që nuk ishin pjesë e procedurave të prokurimit, në funksion të pastrimit të parave.

Masat e sigurisë të vendosura nga SPAK

Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, ka caktuar këto masa sigurie për tetë persona nën hetim:

  • Ergys Agasi, biznesmen – arrest me burg (pa u ekzekutuar)
    Akuzohet për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
  • Ermal Beqiri, biznesmen – arrest me burg (pa u ekzekutuar)
    Akuzohet për të njëjtat vepra penale, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
  • Mirlinda Karçanaj, drejtoreshë e AKSHI – arrest në shtëpi
    Akuzohet për shkelje të barazisë në tendera dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
  • Hava Delibashi, zv.drejtoreshë e AKSHI – arrest në shtëpi
    Akuzohet për shkelje të barazisë në tendera dhe bashkëpunim në grup të strukturuar kriminal.
  • Erion Ismaili, zv.drejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës – pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit
    Akuzohet për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.
  • Andis Papa, biznesmen – ndalim për të dalë jashtë vendit
    Akuzohet për pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
  • Gëzim Hoxha, biznesmen – ndalim për të dalë jashtë vendit
    Akuzohet për pastrim parash dhe bashkëpunim në grup të strukturuar kriminal.
  • Rogers Rryta, biznesmen – ndalim për të dalë jashtë vendit
    Akuzohet për pastrim të produkteve të veprës penale dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Hetimet

SPAK bën me dije se procedimi penal nr. 20/1 i vitit 2025 lidhet me 12 procedura tenderuese të AKSHI-t, të cilat dyshohet se janë manipuluar përmes skemave të mirëorganizuar kriminale. Hetimet po vijojnë, ndërsa Byroja Kombëtare e Hetimit po kryen kontrolle dhe po administron prova të reja.

Autoritetet theksojnë se çështja është në fazë hetimore dhe çdo person i përfshirë gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related