Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbardhur akuzat ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendëses së saj, Hava Delibashi, si edhe ndaj zv.drejtorit të Policisë së Tiranës për Hetimin e Krimit, Erjon Ismaili, të cilët dyshohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në kuadër të hetimeve për abuzime me procedura tenderimi.
Sipas SPAK, hetimi është regjistruar në procedimin penal nr. 20/1 i vitit 2025, ku tetë shtetas dyshohen për një sërë veprash penale që lidhen me tendera, konkurrencë të paligjshme dhe pastrim parash.
Akuzat për Mirlinda Karçanajn
Ndaj Mirlinda Karçanajt, e cila është nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, SPAK ka ngritur dyshime për veprat penale:
- “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, grup i strukturuar kriminal;
- “Grup i strukturuar kriminal”;
- “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Akuzat për Hava Delibashin
Edhe ndaj zëvendësdrejtoreshës së AKSHI-t, Hava Delibashi, SPAK thotë se rëndojnë dyshime për:
- “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
- “Grup i strukturuar kriminal”;
- “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Delibashi po ashtu është vendosur në masën “arrest në shtëpi”.
Masat ndaj zv.drejtorit të Policisë, Erjon Ismaili
Ndërkohë, për zv.drejtorin e Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, SPAK sqaron se është vendosur masa:
- “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”;
- “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Ai dyshohet për veprën penale:
- “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si edhe për veprat shoqëruese që lidhen me organizimin kriminal.
Çfarë thotë SPAK për skemën
Në njoftim, SPAK shpjegon se anëtarët e grupit të dyshuar:
- kanë ndërhyrë në procedura tenderimi duke vendosur kritere të paligjshme për të favorizuar kompani të caktuara;
- kanë përdorur presion dhe dhunë për të detyruar përfaqësues të kompanive konkurrente të tërhiqen nga ankimet, duke garantuar fitues të paracaktuar;
- ndërsa disa administratorë kompanish dyshohet se kanë marrë pjesë formalisht në tendera, kanë lëshuar fatura fiktive dhe kanë kryer transaksione në funksion të pastrimit të parave.
SPAK bën me dije se më 15 dhjetor 2025 kërkoi masat në GJKKO, ndërsa më 16 dhjetor 2025, BKH ka nisur ekzekutimin e vendimeve për personat për të cilët masat janë vendosur.
