“Ligje për qytetarët, imunitet për pushtetin”/ Xhixho: Shteti mbron zv/kryeministren dhe kriminalizon qytetarët

Data

Zv/presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ashpër ndaj ndryshimeve të miratuara në Kodin Penal, duke i cilësuar si një akt autoritar që nuk synon drejtësinë, por frikësimin dhe represionin e qytetarëve.

Sipas saj, maxhoranca i kaloi ndryshimet me nxitim të qëllimshëm, pa debat publik, pa transparencë dhe duke refuzuar çdo propozim të opozitës apo mendim të ekspertëve. Xhixho thekson se, nën justifikimin e integrimit europian dhe sigurisë publike, qeveria po përdor ligjin penal si instrument politik.

Ajo deklaron se standardi i dyfishtë i qeverisë është i qartë: qytetarët ndëshkohen për shkelje administrative, ndërsa pushteti mbrohet politikisht. “Ndërkohë që shteti mbron zv/kryeministren nga masa e arrestit e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme, qytetarët kërcënohen me burg për parkim të dyfishtë. Ky është absurditet ligjor që nuk zgjidh asnjë problem real, por prodhon frikë dhe represion,” shprehet Xhixho.

Sipas saj, Shqipëria rrezikon të bëhet i vetmi vend në Europë që parashikon dënim penal deri në një vit burg për parkim të dyfishtë, në një kohë kur qeveria ka dështuar të ofrojë zgjidhje reale për kaosin urban, mungesën e parkimeve dhe planifikimin e qyteteve.

Xhixho kritikon gjithashtu pretendimin e qeverisë për dekriminalizimin e shpifjes, duke e cilësuar atë si një mashtrim. Ajo thekson se projektligji krijon përjashtime arbitrare dhe presion politik mbi median, pasi përfitimet kufizohen vetëm për një kategori gazetarësh të përcaktuar nga regjistra të diktuar nga vetë qeveria.

Sipas saj, ashpërsimi i dënimeve për ndërtimet pa leje, zënien e tokave apo zjarrvënien nuk adreson përgjegjësinë reale të zyrtarëve që kanë toleruar dhe favorizuar paligjshmërinë. Ndërkohë, Kodi Penal nuk parashikon asnjë masë për rritjen e përgjegjësisë penale të zyrtarëve që shpërdorojnë detyrën, firmosin kontrata abuzive apo dëmtojnë buxhetin e shtetit.

“Problemi i sigurisë publike në Shqipëri nuk është mungesa e ligjeve, por moszbatimi selektiv i tyre dhe kapja politike e institucioneve,” thekson Xhixho. Ajo shton se ministrat dhe zyrtarët e lartë nën hetim vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë, ndërsa qytetarët përballen me ndëshkime të rënda për shkelje të vogla.

Në përfundim, Xhixho deklaron se këto ndryshime nuk e afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Europian, por e largojnë nga parimet e barazisë para ligjit dhe shtetit të së drejtës. “Mesazhi i kësaj maxhorance është i qartë: qytetarët ndëshkohen, shteti korruptiv mbrohet.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related