Janë publikuar pamje nga momenti i vrasjes së 31-vjeçarit Egli Pashollari, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, pranë zonës së njohur si ish-Parku në Tiranë.
Fillimisht u dyshua se konflikti kishte lidhje me ngacmime ndaj bashkëshortes së autorit të dyshuar, por kjo pistë është rrëzuar pas dëshmisë së saj në polici.
Sipas deklarimeve, shkak i përplasjes ka qenë një bllokim rruge. Mësohet se Gazment Buçpapaj, i shpallur në kërkim, i ka rënë borisë për t’i hapur rrugën, ndërsa viktima ka zbritur nga automjeti dhe ka nisur një debat verbal që më pas ka degraduar në konflikt fizik.
Gjatë përplasjes, 31-vjeçari është goditur me thikë, duke marrë plagë të rënda që i kanë shkaktuar vdekjen. Në momentin e ngjarjes, Buçpapaj ndodhej në makinë me bashkëshorten e tij, e cila ka deklaruar se ai kishte shkuar për ta marrë nga puna.
Policia vijon kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar dhe po heton rrethanat e plota të ngjarjes.
