Një 26-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike. Në pranga ka rënë shtetasi Y. E., banues në Fier.
Arrestimi u krye gjatë operacionit policor të koduar “New Start”, i ndjekur për rreth një muaj me metoda speciale hetimi nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale.
Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit që drejtonte 26-vjeçari, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan 81 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të cilën ai e posedonte me qëllim shitjen në qytetin e Fierit.
I riu tentoi t’i shpëtonte policisë duke u larguar, por u neutralizua dhe u arrestua në flagrancë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu një automjet dhe tre telefona celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme ligjore.
