Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht pas dy ditësh lidhur me zjarrin e rëndë që shkrumboi dhjetëra biznese në tregun e njohur si “5 Maji” në kryeqytet, ngjarje e ndodhur më 8 janar.
Sipas njoftimit zyrtar, dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektrike në kapanonet e tregut, i njohur ndryshe edhe si ish-tregu “Uzina Dinamo”. Flakët kanë përfshirë me shpejtësi ambientet, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe shkatërrimin e një sasie të madhe mallrash.
“Në datë 08.01.2026, në rrugën ‘Ferit Xhajko’, dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektrike ka rënë zjarr në kapanonet e tregut ‘Uzina Dinamo’, ku janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë janë kryer veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i zjarrit ka qenë aksidental”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për hetime të mëtejshme, ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, tregtarët e prekur nga zjarri raportojnë humbje të mëdha ekonomike dhe kërkojnë ndihmë dhe transparencë mbi shkaqet reale të incidentit.
