Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka përkujtuar sot në një postim në Facebook 35-vjetorin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që shënoi fillimin e rrëzimit të diktaturës komuniste dhe lindjen e demokracisë shqiptare.
Salianji theksoi se të rinjtë e atyre ditëve “udhoqën kthesën historike të Shqipërisë në mes të territ, paqartësisë dhe frikës”, duke vendosur jetët në rrezik për lirinë dhe orientimin perëndimor të vendit.
“Mirënjohje përjetë të gjithë studentëve”
Në postimin e tij, ai shprehet:
“8 Dhjetori është ngjarje që ndriçon dinjitetin e shoqërisë sonë. Mirënjohje përjetë të gjithë studentëve, të rinjve dhe intelektualëve që u bashkuan për t’i dhënë fund mjerimit të Shqipërisë dhe për ta kthyer atë me fytyrë nga Perëndimi.”
8 Dhjetori – simbol i lirisë dhe pluralizmit
Më 8 dhjetor 1990, rreth 300 studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës nisën protestat e para paqësore në Qytetin Studenti, pasi iu fikën dritat në konvikte. Brenda pak orësh turma u shtua në mbi 1000 persona, të cilët marshuan drejt qendrës së Tiranës, pavarësisht ndërhyrjeve të ashpra të forcave të Sigurimit të Shtetit.
Studentët kërkuan:
- pluralizëm politik,
- lirinë e fjalës,
- reformë demokratike,
- integrimin e Shqipërisë “si gjithë Europa”.
Protestat vazhduan deri më 11 dhjetor, kur Ramiz Alia shpalli pluralizmin politik dhe studentët njoftuan nisjen e procesit për themelimin e Partisë Demokratike.
Lëvizja studentore kulmoi më 20 shkurt 1991, me rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës dhe fundin simbolik të diktaturës.
Dita Kombëtare e Rinisë
Dita e Rinisë festohet çdo vit më 8 Dhjetor, e shpallur festë zyrtare që prej vitit 2009, në nder të studentëve të Dhjetorit ’90 dhe kontributit të tyre historik në rikthimin e lirisë në vend.
