Juristi Marash Logu ka deklaruar se shqyrtimi i çështjes së Belinda Ballukut në Gjykatën Kushtetuese dhe procedura parlamentare për heqjen e imunitetit janë dy procese tërësisht të ndara dhe pa asnjë varësi juridike nga njëra-tjetra.
I ftuar në një emision televiziv, Logu u shpreh se përpjekja për t’i lidhur këto dy zhvillime shërben si justifikim politik për zvarritjen e vendimmarrjes në Kuvend dhe përbën shkelje të hapur të Kushtetutës, rregullores parlamentare dhe Kodit të Procedurës Penale.
Sipas tij, është e pavërtetë se anëtarët e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin kanë kërkuar shtyrjen e mbledhjes për të pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Logu theksoi se në mbledhjen e parë të këtij këshilli, arsyeja e shtyrjes ishte t’i jepej kohë palëve, përfshirë mbrojtjen e Ballukut, për të paraqitur argumentet e tyre, dhe jo për të pritur ndonjë vendimmarrje nga Kushtetuesja.
“Ky njoftim i bërë nga Kryetari i Kuvendit është i pavërtetë. Në mbledhje nuk është kërkuar shtyrje për shkak të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Logu.
Ai sqaroi se në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet kushtetutshmëria e masës së pezullimit nga detyra, ndërsa në Kuvend po trajtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit, me qëllim caktimin e një mase sigurie si arrest shtëpie apo arrest me burg. Sipas tij, vendimet në këto dy procese nuk e zhbëjnë dhe nuk e ndikojnë njëra-tjetrën.
Logu shtoi se SPAK ka konfirmuar zyrtarisht se edhe pas vendosjes së masës së pezullimit nga detyra, Balluku ka ndërmarrë veprime aktive për të ndikuar në hetim, përfshirë prishjen e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve. Ai theksoi se këto veprime janë konstatuar edhe pas pezullimit të përkohshëm të masës nga Gjykata Kushtetuese, përmes metodave speciale të hetimit.
Juristi kritikoi ashpër shtyrjen e zgjatur të procedurës parlamentare, duke e cilësuar atë si shkelje të rëndë ligjore. Ai bëri të ditur se për këtë arsye është depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj Kryetarit të Kuvendit, për shpërdorim detyre.
“SPAK ka detyrimin të mbrojë procesin hetimor. Nëse nuk reagon ndaj paligjshmërive që po kryen Kuvendi, kjo nuk mund t’u faturohet deputetëve të opozitës”, u shpreh Logu.
Ai paralajmëroi për dy rreziqe kryesore: së pari, rrezikun real që Balluku, për shkak të funksionit të saj, të vijojë të ndikojë në hetim përmes presioneve ndaj dëshmitarëve; dhe së dyti, rrezikun që Kuvendi të djegë afatin tremujor të parashikuar nga rregullorja, duke e çuar kërkesën e SPAK drejt rrëzimit automatik.
Megjithatë, Logu theksoi se edhe nëse kjo ndodh, Balluku nuk shpëton nga përgjegjësia penale, pasi SPAK ka të drejtë të paraqesë menjëherë një kërkesë të re për heqjen e imunitetit.
