Çarja mbi 30 cm në shinë? Ja çfarë e shkaktoi aksidentin tragjik hekurudhor në Spanjë

Data

Zbardhen detaje të reja nga tragjedia hekurudhore që i mori jetën rreth 40 personave në Spanjë. Një çarje prej më shumë se 30 centimetra në shinën e djathtë, në kilometrin 318.7 të linjës së shpejtësisë së lartë Madrid–Andaluzi, është vënë në qendër të hetimeve paraprake për aksidentin e rëndë që ndodhi të dielën në zonën Adamuth, në Kordobë.

Ngjarja përfshiu një tren të kompanisë private Iryo, që udhëtonte drejt Madridit, dhe një tren Alvia të Renfe, i cili po lëvizte në drejtim të kundërt. Deri tani, bilanci tragjik ka arritur në rreth 40 viktima, duke e bërë këtë një nga aksidentet hekurudhore më të rënda në Spanjë në vitet e fundit.

Sipas hetimeve, përplasja ballore ishte shkaku i drejtpërdrejtë i numrit të lartë të viktimave, por autoritetet po përqendrohen te arsyet që çuan fillimisht në daljen nga shinat të trenit Iryo. Ky devijim fatal bëri që vagonët e fundit të kalonin në shinën e kundërt, duke shkaktuar përplasjen me trenin që po vinte përballë.

Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, e cilësoi incidentin si “të çuditshëm”, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një aksident tipik hekurudhor. Të dielën pasdite, vagonët 6, 7 dhe 8 të trenit Iryo Frecciarossa 1000 dolën nga shinat ndërsa treni po lëvizte me mbi 200 km/orë në një segment të drejtë të linjës në zonën Adamo. Vagonët e fundit kaluan në krahun e kundërt të linjës dhe u përplasën me trenin Alvia të Renfe, i cili ishte nisur nga stacioni Atocha në orën 18:05 dhe po udhëtonte me rreth 205 km/orë.

Shoferi i trenit Alvia kishte vetëm rreth 20 sekonda për të reaguar, duke e bërë përplasjen të pashmangshme. Lokomotiva dhe vagonët e parë të Alvia përfunduan në një shpat pranë linjës, ndërsa treni Iryo u ndal në kilometrin 317.6, me disa vagonë të përmbysur dhe shinat mes dy trenave të shkatërruara plotësisht.

Gjatë ekzaminimeve paraprake, hetuesit zbuluan një shinë të thyer dhe traversa të dëmtuara në një pikë specifike të linjës. Sipas vlerësimeve teknike, çarja mbi 30 centimetra mund të ketë ardhur si pasojë e një saldimi të dëmtuar ose e një defekti që është përkeqësuar me kalimin e kohës për shkak të trafikut intensiv të trenave të rëndë dhe kushteve atmosferike. Burime pranë hetimit e cilësojnë këtë si një nga shkaqet më të mundshme të daljes nga shinat.

Ndërkohë, menaxheri i infrastrukturës hekurudhore ka nisur kontrolle të detajuara, përfshirë ekzaminime tejzanore, për të përcaktuar nëse defekti ishte paraekzistues apo u krijua si pasojë e aksidentit. Pyetja nëse çarja ishte shkak apo pasojë e ngjarjes është thelbësore për përcaktimin e përgjegjësive penale dhe civile, si për administrimin e infrastrukturës ashtu edhe për operatorët e trenave.

Presidenti i kompanisë Iryo, Carlos Bertomeu, e përshkroi ngjarjen si një “aksident të pazakontë”, duke theksuar se treni po lëvizte në një vijë të drejtë dhe me shpejtësi brenda parametrave të lejuar. Ai shtoi se Frecciarossa 1000 është një tren i teknologjisë së fundit, më pak se tre vjeç, me mirëmbajtje të rregullt dhe me një inspektim të fundit të kryer më 15 qershor në Madrid.

Hetimet nga Komiteti i Hetimit të Aksidenteve Hekurudhore po vijojnë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kompanive hekurudhore, menaxherit të infrastrukturës dhe prodhuesve të trenave, ndërsa autoritetet dhe opinioni publik presin përgjigje për shkaqet e një prej tragjedive më të rënda hekurudhore në historinë e fundit të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related