Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, është paraqitur këtë të martë në SPAK, ku i është komunikuar zyrtarisht mbyllja e hetimeve ndaj tij.
Raportohet se katër ditë më parë Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe pritet ta dërgojë Roshin të pandehur në gjykatën antikorrupsion për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Shkeljet që i adresohen lidhen me dhënien e urdhrave për zhvillimin e të paktën gjashtë procedurave tenderuese në Bashkinë e Kavajës, përfshirë shërbimet e pastrimit të qytetit, zhvillimin e qendrës urbane dhe rikonstruksionin e disa akseve rrugore.
Si drejtues i pushtetit vendor deri në vitin 2016, Elvis Rroshi u përfshi më herët edhe në problematika që lidhen me ligjin e dekriminalizimit, ku u konstatua se nuk kishte deklaruar një dënim në Itali. Më pas, një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit kërkoi hetime për procedura prokurimi të zhvilluara në vitet 2013–2014.
Çështja fillimisht u pushua nga prokuroria vendore, por më pas iu referua SPAK-ut, i cili vendosi nisjen e ndjekjes penale pas një urdhri të gjykatës antikorrupsion për kryerjen e veprimeve hetimore shtesë në Bashkinë e Kavajës.
Gjatë hetimit, SPAK administroi dëshmi dhe një raport të KLSH-së, sipas të cilit pretendohet se është shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 500 milionë lekësh. Përveç akuzës për shpërdorim detyre dhe veçimit të dosjes për dhjetë ish-zyrtarë të tjerë, SPAK ka hapur gjithashtu një fraksion hetimor ndaj Roshit për pastrim parash, duke u bazuar në një akt-ekspertim financiar dhe ka nisur letërporosi drejt Italisë.
