Prej të paktën dy muajsh, kreu i Grupit Parlamentar Demokrat, Gazment Bardhi, dhe të tjerë deputetë opozitarë në Komisionin e Këshillit dhe Mandateve, po shpenzojnë energji politike dhe njerëzore për mandatin e ligjvënësit socialist, Vullnet Sinaj, një çështje fare minore përballë skandaleve dhe batërdisë së “Rilindjes” me financat publike.
Ligjvënësit opozitarë e akuzojnë Sinajn se rrjeti i kompanive ushqimore në pronësi të tij, “Big”, ka marr një grusht të vogël lekësh nga institucionet publike.
Çështja është tejet e diskutueshme. Nga njëra anë ligji për “Konfliktin e Interesave” ndalon deputetët që të përfitojnë nga paratë e shtetit.
Por, nga ana tjetër, Vullnet Sinaj ka kaluar në statusin e aksionerit pasiv që kur ka marrë mandatin e deputetit, duke i dorëzuar ato tek një person i besuar, siç parashikon ligji. Gjithashtu, të ardhurat e kompanive “Big” nga institucionet publike janë minimale dhe, nëse zbatohet parimi i proporcionalitetit, mund të mos ketë pasoja mbi mandatin e Sinaj.
