Me vendimin e Gjykatës që zbuti afatet e pezullimit dhe i riktheu në Kuvend, opozita iu drejtua dje Kuvendit si triumf fitoreje. Gardhi metalik dhe ai i Gardës, ishin hequr dhe deputetët hynë lehtë në seancë, këtë herë pa iu dashur që mes tyre të selektohen për t’iu mbyllur dera të përjashtuarve. Por, që edhe brenda sallës nuk do të lejonin qetësi, e treguan që në nisje përmes demokratit Dashnor Sula, që kishte ardhur me pranga në duar dhe I veshur si i burgosur me mbishkrimin “Stop Dënimit politik”. Në nisje të seancës nuk pati përplasje, por debate të forta në përpjekje të opozitarëve për të gjetur meakulpën e socialistëve për përjashtimet, sipas tyre, të padrejta. E para që u vu në shënjestër të opozitës, ishte Elisa Spiropali, të cilës i kërkuan dorëheqjen. Po ashtu, akuza dhe përplasje të forta mes palëve pati edhe sa i takon Buxhetit 2025, situatës së vështirë ekonomike, kriminaliteti dhe vendimit të Gjykatës Administratives për të rikthyer në Kuvend deputetët e opozitës të dënuar për dhunë e kaos në Kuvend.
Debatet
“Ti zonjë që je përfaqësuese e krimit të organizuar do duhet të dorëhiqesh se për një muaj nuk ke lejuar deputetët e opozitës të ushtrojnë funksionin e tyre. Bashkë me këtë zonjën e vezëve në rresht të dytë do duhet të ndjeni vetëm turp dhe si shenjë përgjegjësie për atë që i keni bërë kësaj salle, duhet të jepni dorëheqjen”, tha Gazment Bardhi.
“Gjykata Kushtueses ka thënë se vendimet e brendshme nuk mund të ankimohen”, tha Taulant Balla.
“ I paskemi rënë në qafë Lindita Nikollës. Të paskemi rënë më qafë o zonja Nikolla, drejtim më të keq se tani Parlamenti nuk ka pasur ndonjëherë!”, tha Jorida Tabaku.
Vendimi i gjykatës
Ndërkohë në foltoren e Parlamentit foli edhe kreu i grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi, i cili nuk u shpreh dakord me vendimin e Administratives për rrëzimin e masave të Etikës së Kuvendit. Ai shpjegoi se vendimi i organeve të Parlamentit nuk është rrëzuar, por thjesht ka zhvendosur datën, edhe pse ka kryer ndërhyrje jashtë kompetencës së saj. Por sipas Peleshit mazhoranca e ka pranuar për hir të normalitetit parlamentar dhe bëri thirrje ndaj opozitës që të diskutonin për buxhetin dhe se vendimet e gjykatës të drejta ose jo nuk janë shkak për djegie karrigesh. Ai tha se do e respektonin atë vendim, pavarësisht se nuk ishte i drejtë. “Me vendimet e gjykatave ka dy standarde. Duhet ta vendosim do t’i njohim apo jo… (për vendimin e gjykatës Administrative për përjashtimet e PD).
Peleshi: Duhet të vendosim një standard për këto vendime. Të mos djegim karriget, kur nuk na pëlqejnë. Ky është precedent që gjykata Administrative merr atributet e Kuvendit dhe vendos. Vendimi i gjykatës nuk ka rrezuar vendimin e Etikës, por e ka quajtur të drejtë, thjesht ka ndryshuar datat, në vlerësimin tim ka bërë vendim të gabuar se ka hyrë në territorin tonë, por kjo s’ju jep të drejtë të digjni karriget. Nderojeni foltoren në dispozicion të përfaqësuesve, qytetarëve, buxheti është fusha e betejës për dy palët, jo vetëm për mazhorancën dhe jo për opozitën”, deklaroi Peleshi. Por teksa po bënin këto diskutime, deputetët morën një tjetër lajm për karriget e djegura se Prokuroria e Posaçme (SPAK) vendosi të mos nisë hetimin për demokratët e kallëzuar që dogjën më 30 shtator karriget në oborrin e Parlamentit.
