Në një kohë kur shqiptarët janë të varfëruar nga rritja e çmimeve dhe mungesa e transparencës në menaxhimin e burimeve natyrore, një skandal i ri ka tronditur fuqishëm opinionin publik. Opozita ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë, duke zbuluar se 180 milionë euro janë vjedhur nga xhepat e shqiptarëve përmes manipulimeve dhe abuzimeve me shit-blerjen e energjisë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, është vendosur nën akuzë, ndërsa opozita paralajmëron për pasoja më të mëdha, duke i shpërthyer një tjetër “bombë politike”. sinjalet i ka dhënë dje, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demorkatike, Gazment Bardhi, i cili duke folur dje në Kuvendin e Shqipërisë, përveçse sulmoi zonjën Balluku, ndër të tjera zbuloi se vëllai i ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili aktualisht punon tek Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), mund të shkaktojë një tjetër katastrofë për qeverinë, duke rrezikuar jo vetëm të shkatërrojë reputacionin e dy ministrave, por edhe të shkaktojë pasoja të rënda politike për gjithë qeverisjen.
Në këtë kontekst, zoti Bardhi ka paralajmëruar se çmimi i këtyre skandaleve mund të jetë një fund i shpejtë për ndihmësit e kryeministrit dhe një ringritje e madhe e një sistemi të shkatërruar nga korrupsioni dhe mungesa e llogaridhënies.
Akuzat ndaj zv/kryeministres Balluku
Konkretisht deklaratave të zv/kryeministres Belinda Balluku nga foltorja e Parlamentit se buxheti 2023 ishte më i mirë për shqiptarët për shkak të rritjes së pagave të administratës, bumit turistik dhe investimeve publike iu përgjigj me akuza kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi. Ky i fundit nga akuzoi zv/kryeministren Balluku se me projektet ka fituar miliona euro. “Na the shifra dhe ike na tha se do mbahet mend buxheti 2023 sepse vetëm me një projekt fute ne xhep 50 mln euro do ta mbajnë mend shqiptaret buxhetin 2023 sepse vetëm nga shit-blerja e energjisë elektrike fute ne xhep 180 mln euro”, deklaroi ai.
Ndërkohë zv/kryeministrja Balluku tha gjithashtu se sot situata energjetike është shumë e mire duke e krahasuar atë me vitin 2007. “Si paskan qenë qytetarët më mirë kur në 2007 kishte vetëm 5 orë drita kryeqyteti dhe jo më zonat rurale. Ndërkohë që sot nëse drita shkëputen edhe në Theth ku rrinin me muaj me drita duhet të ndërhyjmë brenda 20 minutash pasi në Theth sot ka bujtina”, deklaroi Balluku. Por i menjëhershëm ishte reagimi i Bardhit. “Në 2007 kishte 7 orë drita po patjetër se na i latë peshqesh gjatë qeverisjes tuaj 97-2005 u desh të vinte PD në pushtet që të zgjidhte hallin e furnizimit me energjinë elektrike dhe e bëmë pa rritur çmimin e energjisë siç e keni rritur ju me 70% në kurriz të qytetarëve shqiptar ndaj zonja flet me veten dhe ikën dhe fshihet sepse gënjeshtrat nuk e mbulojnë dot të vërtetën”, vijoi më tej Bardhi.
Sakaq duke u komentuar deklaratat e Ballukut për mirëqenien e qytetarëve Bardhi tha se ajo s’ka lidhje me mirëqenien e qeveritarëve. Si shembull Bardhi mori veshjen e zv/kryeministres sot dhe 5 vite me parë. “Kur vini këtu dhe flisni për mirëqenien e qytetarëve mos e ngatërroni me mirëqenien tuaj se shqiptaret mjaftojnë të shohin si ka qenë Belinda e veshur para 5 vitesh dhe si vishte sot, sa kushtonte veshja e saj para 5 vitesh dhe sa kushton sot. Ndaj kur jemi betuar jemi betuar për mirëqenien e qytetareve jo të Belinda Balluku”, u shpreh ai.
Akuzat ndaj ministrit Hoxha
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demorkatike, Gazment Bardhi iu përgjigj dje edhe ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha gjatë replikave në Kuvend, duke e quajtur vëllain e tij një hajdut në OSHEE. Bardhi e paralajmëroi Hoxhën se shumë shpejt i vëllai shumë shpejt do përgjigjej para ligjit dhe se do merrte në qafë veten dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, për vjedhjen e parave të shqiptarëve. “Së pari njëherë, turmë je ti dhe çeta e hajdutëve që të rrethon ty, duke përfshirë edhe tët vëlla që do marrë në qafë veten dhe Belinda Ballukun me të, do e mësosh shumë shpejt pse po e them këtë. Që është një hajdut atje në OSHEE që vjedh paratë e shqiptarëve dhe të energjisë elektrike të qytetarëve”, nënvizoi ai.
