Bisedimet për paqen në Ukrainë/ Zelensky zbulon planin me 20 pika të dakordësuar me SHBA, dy çështje mbeten në ngërç

Data

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë publike detajet e një plani të ri paqeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, i hartuar pas disa javësh bisedimesh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Plani fillestar me 28 pika është rishikuar dhe reduktuar në 20 pika dhe pritet t’i dorëzohet Moskës më 24 dhjetor.

Zelensky bëri të ditur se paralelisht janë përgatitur disa dokumente shtesë: një plan trepalësh për garancinë e sigurisë mes Ukrainës, SHBA-së dhe Evropës, një marrëveshje dypalëshe sigurie mes Kievit dhe Uashingtonit, si dhe një dokument ekonomik që përshkruhet si “udhërrëfyesi për prosperitetin e Ukrainës”.

Sipas presidentit ukrainas, nëse plani miratohet, marrëveshja përfundimtare do të nënshkruhet nga udhëheqësit e Ukrainës, SHBA-së, vendeve evropiane dhe Rusisë. Armëpushimi pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, ndërsa dokumenti duhet të ratifikohet nga parlamenti ukrainas dhe/ose të miratohet përmes një referendumi brenda 60 ditëve.

Dy pikat që mbeten në ngërç

Zelensky pranoi se ende nuk ka dakordësi për dy çështje kyçe të planit të rishikuar:

– kontrollin e Centralit Bërthamor të Zaporizhzhisë, i pushtuar nga Rusia

– statusin e rajonit të Donbasit, i shkatërruar nga lufta që prej vitit 2014

Sipas propozimit amerikan, centrali bërthamor i Zaporizhzhisë do të operohej bashkërisht nga Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja, me ndarje të barabartë kontrolli dhe SHBA-në si mbikëqyrëse kryesore. Ukraina e kundërshton kontrollin rus dhe propozon që centrali të menaxhohet vetëm nga Ukraina dhe SHBA-ja, duke kërkuar gjithashtu çmilitarizimin e plotë të zonës.

Sa i përket Donbasit, Rusia kërkon tërheqjen e forcave ukrainase nga disa zona, ndërsa Kievi e refuzon këtë kërkesë. Diskutimet po përqendrohen në mundësinë e krijimit të zonave të demilitarizuara ose zonave të lira ekonomike si kompromis i mundshëm.

Pikat kryesore të planit

Plani përfshin njohjen e Ukrainës si shtet sovran, një marrëveshje të plotë mossulmimi, garanci të forta sigurie për Ukrainën, ruajtjen e madhësisë së forcave të saj të armatosura dhe një mekanizëm ndërkombëtar monitorimi të vijës së frontit.

Gjithashtu parashikohet një paketë e gjerë rindërtimi ekonomik me synim mobilizimin e rreth 800 miliardë dollarëve për rindërtimin e vendit, përshpejtimin e integrimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, garantimin e lirisë së lundrimit dhe zgjidhjen e çështjeve humanitare, përfshirë shkëmbimin e të burgosurve dhe lirimin e civilëve të ndaluar.

Zelensky theksoi se, nëse nuk arrihet kompromis për çështjet kyçe, mbeten dy skenarë: ose vazhdimi i luftës, ose një marrëveshje që pranon realitetin aktual në terren, por pa hequr dorë nga sovraniteti i Ukrainës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related