Ferit Hoxha tërhiqet pas deklaratës për marrëveshjen me Italinë: Ishte reflektim spontan, jo ndryshim qëndrimi i qeverisë

Data

Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, ka reaguar sërish lidhur me deklaratën e bërë më herët gjatë ditës për marrëveshjen Shqipëri-Itali mbi kampet e refugjatëve në Gjadër, ku u shpreh se protokolli me qeverinë e Giorgia Melonit mund të mos rinovohet pas përfundimit të afatit pesëvjeçar.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Hoxha sqaroi se deklarata e tij erdhi si përgjigje ndaj një pyetjeje të një gazetari në Bruksel dhe nuk përbën një vendim zyrtar të qeverisë shqiptare.

“Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare. Unë iu përgjigja duke thënë: ‘Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe’”, shkruan Hoxha.

Sipas tij, deklarata ishte “një reflektim i çastit”, i shprehur “me sinqeritet dhe spontanitet”, duke theksuar se nuk duhet interpretuar si ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë për marrëveshjen me Italinë.

“Nuk bëhet fjalë për një vendim. Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin”, vijon reagimi i ministrit.

Hoxha kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, deklaratat e shkëputura nga konteksti kthehen në narrativa të deformuara.

“Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt sesa argumenti, logjika dhe konteksti. Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive”, përfundon reagimi i tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related