Emisioni “Fiks Fare” denoncoi abuzimet me administrimin e ekipit të futbollit të qytetit të Bulqizës, ekip i themeluar në vitin 2020, por pa stadium dhe me skuadër amatore.
Katër vitet e fundit janë akorduar qindra miliona lekë, shtetërore dhe donacione, për ndërtimin e një stadiumi, por fusha nuk ka përfunduar ende. Madje, vit pas viti hidhen të tjera para’ buxhetore për rrethime dhe rikonstruksione. Para të shkuara të gjitha dëm, pasi përgjatë këtyre viteve ekipi nuk ka luajtur asnjëherë në Bulqizë, por në Tiranë.
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare erdhën disa foto të gjendjes së fushës së futbollit. Kjo fushë u inaugurua në vitin 2021, me financim nga Bashkia e Bulqizës dhe disa donacioneve. Në atë kohë, Federata Shqiptare e Futbollit tha se “tashmë ekipi i Bulqizës, që militon në kategoritë inferiore, do t’i luajë ndeshjet në qytet”. Por, nga konstatimi i Fiks Fare rezultoi se gjendja e fushës lë shumë për të dëshiruar, rrethimi është shkatërruar. S’ka porta, madje as rrugë për të shkuar te ajo fushë.
Në atë kohë, u shpenzuan rreth 22 milionë lekë të rinj vetëm për fushën sportive, para’ të cilat kanë shkuar dëm! Projekti nisi në vitin 2018 dhe u finalizua, sipas njoftimit të FSHF-së, në vitin 2021. Në këtë njoftim shkruhet se “qeveria e futbollit shqiptar ka përfunduar me sukses fushën e futbollit dhe së shpejti pritet të merret në dorëzim nga Bashkia e Bulqizës, e cila do të garantojë aksesin e rrugëve lidhëse, aksesorët dhe sistemimin e dhomave të zhveshjes”. Pas këtij njoftimi, fusha e futbollit nuk u mor në dorëzim nga bashkia, por u la në mëshirë të fatit!
Në vitin 2022, Bashkia e Qytetit hapi një tender me objekt “rikonstruksion fusha e Futbollit (rrethim + dhoma zhveshje). Tenderi kishte një vlerë rreth 9 milionë lekë. Kjo procedurë u auditua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku në raportin e vitit 2024 shkruhet se nuk u zbatuan aktet ligjore. Dosja e prokurimit nuk është dorëzuar në arkivë, nuk është e inventarizuar. Urdhri i prokurimit është i vulosur nga Dega e Thesarit, por është pa shkresë përcjellëse, pa nënshkrim dhe pa datë. Në dosjen e prokurimit nuk disponohet mënyra e përfitimit të këtij projekti, detyra e projektimit dhe Oponenca Teknike.
