Mijëra qytetarë dhe aktivistë dolën në rrugët e Francë në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, duke kërkuar paga më të larta, kushte më të mira pune dhe mbrojtje më të madhe sociale.
Protestat, të thirrura nga sindikatat, u zhvilluan nën moton “bukë, paqe dhe liri”, duke reflektuar jo vetëm shqetësimet ekonomike, por edhe tensionet ndërkombëtare që po ndikojnë jetën e përditshme. Demonstruesit lidhën kërkesat për rritje pagash dhe fuqi blerëse me rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, si dhe me pasojat e konflikteve globale.
Deputeti Manuel Bompard nga lëvizja La France Insoumise theksoi se pakënaqësia sociale është rritur ndjeshëm për shkak të inflacionit dhe fitimeve të larta të kompanive të mëdha, ndërsa qytetarët përballen me vështirësi ekonomike.
Në qendër të kërkesave ishin rritja e pagave, ngrirja e çmimeve dhe politika më të forta sociale për mbrojtjen e punëtorëve. Protestuesit kërkuan gjithashtu më shumë drejtësi ekonomike dhe një shpërndarje më të drejtë të pasurisë.
1 Maji, i njohur ndërkombëtarisht si Dita e Punëtorëve, ka rrënjë historike në lëvizjet për të drejtat e punëtorëve, që nisën në fund të shekullit të 19-të, kur u kërkua vendosja e orarit 8-orësh të punës.
Protestat e këtij viti tregojnë se, pavarësisht dekadave të kaluara, kërkesat për kushte më të mira pune dhe dinjitet ekonomik mbeten po aq aktuale edhe sot.
