Ndërsa Partia Demokratike kërkon heqjen nga rendi i ditës të pikës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi se nuk ka kompetencë të bllokojë procesin dhe se është i detyruar ta çojë çështjen në votim.
Peleshi sqaroi para deputetëve se ka në dispozicion raportin e miratuar nga Komisioni i Ligjeve, i cili ka përmbyllur procedurën dhe ka konkluduar në 6 kandidatë që plotësojnë kriteret dhe konsiderohen të vlefshëm për votim.
Ai theksoi se, megjithëse PD ka kërkuar zyrtarisht tërheqjen e firmave dhe heqjen e pikës nga rendi i ditës, vendimmarrja nuk është personale e kryetarit, por i takon seancës plenare.
Deklarata kryesore e Niko Peleshi
“Unë nuk mund të shprehem vetë për ta hequr nga rendi i ditës. Jam i detyruar ta hedh në votim. Edhe nëse do të mendoja si ju, s’kam të drejtë të pengoj procesin.”
Peleshi nënvizoi se maxhoranca ka respektuar traditën parlamentare duke mos mbështetur me firma asnjë kandidat, me synimin që Avokati i Popullit të zgjidhet nga radhët e propozimeve të opozitës.
Peleshi: Nuk bëj avokatin e askujt, respektoj procedurat
Kryetari i Kuvendit tha se deputetët ende nuk kanë dëgjuar argumentimin e kryetarit të Komisionit të Ligjeve lidhur me arsyet e mospranimit të tërheqjes së firmave.
“Nuk po bëj avokatin e askujt. Kam një proces të përfunduar nga Komisioni i Ligjeve dhe jam i detyruar ta ndaj me ju dhe t’ju lë ju të vendosni.”
Ai shtoi se pas tre vitesh ngërç, është detyrë e Kuvendit që procesi për Avokatin e Popullit të përfundojë, duke bërë thirrje për një zgjidhje sa më konsensuale.
