700 lekë për një çadër në plazhet publike të Vlorë, qytetarët shpërthejnë kundër vendimit: “Çmim skandaloz, pensionistët nuk e përballojnë dot!”

Data

Vendimi i fundit i Këshillit Bashkiak të Vlorë për vendosjen e një tarife prej 700 lekësh për çadrat në plazhet publike ka shkaktuar reagime të forta mes qytetarëve.

Shumë prej tyre e konsiderojnë këtë çmim të papërballueshëm, veçanërisht për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta. “Është çmim skandaloz. Njerëzit nuk kanë të hanë, jo më të paguajnë për çadra në plazh”, shprehet një qytetar, ndërsa të tjerë theksojnë se do të detyrohen të marrin çadra nga shtëpia.

Sipas banorëve, situata bëhet edhe më e rëndë nga mungesa e kushteve bazë në plazhet publike, si tualetet dhe dushet. Ata ankohen se përveç çmimit të lartë, nuk ofrohet një shërbim i denjë për pagesën që kërkohet.

Vendimi është miratuar vetëm me votat e shumicës socialiste në këshill, ndërsa përfaqësuesit e opozitës propozuan një tarifë më të ulët prej 500 lekësh, por kjo nuk u pranua.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e bashkisë argumentojnë se vendosja e pagesës është e nevojshme për të përballuar kostot e menaxhimit të plazheve publike. Administrimi i tyre pritet të kryhet nga kompania publike Vlora Invest SHA, e cila do të vendosë çadrat në zona si Lungomare dhe Plazhi i Vjetër.

Debati mbi këtë tarifë pritet të vijojë, ndërsa sezoni turistik po afron dhe kërkesa për akses në plazhe publike mbetet e lartë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related