Juristja e njohur, Brizida Gjikondi ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa shprehet se opozita po përdor gjithçka vetëm për të krijuar tension fals. Sa i përket deklaratave të SPAK lidhur me mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet “SKY ECC”, se janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme, juristja Gjikondi theksoi gjatë një interviste për gazetën “SOT”, se kjo u sqarua shumë qartë nga institucioni.
Me tej ajo shtoi se Gazmend Bardhi e bëri të bujshme dhe se ka synuar që të zhbëjë punën e SPAK. Më tej gjatë fjalës së saj Gjikondi theksoi se është për të ardhur keq kur sheh se nga kush përfaqësohet opozitarizmi në Shqipëri, ndërsa nënvizoi se ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë gjithmonë simbol i agresivitetit dhe i vëllavrasjes. E ndalur edhe tek protesta e dhunshme e opozitës që u zhvillua javën që shkoi, e cila u shoqërua me të lënduar si pasojë e hedhjes së molotovëve, juristja Gjikondi shtoi se tani opozita është në dëshpërim dhe në një degradim total.
Ndërkohë juristja Brizida Gjikondi thotë se audiopërgjimi lidhur me vrasjet në protestën e 21 Janarit 2011, do të shërbejë si një pikë kthese në hetimin e kësaj çështjeje. Gjikondi u shpreh se ish kryeministri Sali Berisha, ka arsye që të shqetësohet dhe shtoi se retorika e tij, është bërë agresive lidhur edhe me hetimin e “21 Janarit”. Gjithashtu Gjikondi komentoi edhe turin që tashmë do të nisë kryeministri Edi Rama me diasporën.
-Zonja Gjikondi, SPAK duket se ka thelluar hetimet sa i takon masakrës së “21 Janarit”. Javën që shkoi gazetari Artan Hoxha dorëzoi disa përgjime, të cilët siç theksoi ai do të ndihmojnë për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, ku në vitin 2011 gjatë protestës së opozitës së kohës u vranë nga Garda e Republikës katër qytetarë të pafajshëm. Si ju duket kjo lëvizje?
Prej një viti, familja e të ndjerit Aleks Nika kishte folur për këtë provë të fortë. Prisnin që t’ia dorëzonin vetëm SPAK. Ata nuk kishin besim te Prokuroria e Tiranës, nga e cila ishin zvarritur hetimet prej vitesh. Ky regjistrim do bëjë kthesë të rëndësishme. Të mos ishte Gjykata e Strasburgut, nuk do kishim të mundur hetimin nga SPAK për ‘21 Janarin’. Berisha ka shumë arsye për të qenë i shqetësuar.
Këtë ka thënë edhe vendimi i Strasburgut, asnjë cenim i godinave, nuk mund të justifikojë vrasjen e personave. Vrasjet janë bërë pas përfundimit të protestës. Zinxhiri urdhërues ka qenë politik. Besoj se do kemi zhvillime. Jam e bindur se do kemi zhvillime. Për sa kohë SPAK e ka marrë në hetim, kam përshtypjen se tani situata do marrë drejtim.
-Keni një koment sa i takon deklaratave të SPAK, në lidhje me kërcënimet e pretenduara për Gazmend Bardhin se mesazhet janë të sajuara?
Të manipuluara dhe të sajuara, ka thënë dy terma pasi deklarata e SPAK-ut mendoj se ka qenë shumë serioz është gjithëpërfshirës ku i drejtohet dhe zotit Bardhit, gjithashtu flet dhe për politikanë dhe për figura të tjera publike. Këto mesazhe provokuese janë dërguar nga aplikacioni “Sinjal” por ato të tjerët nuk e kanë bërë publike. Zoti Bardhi, dihet që bën gjithmonë sikur është emocional dhe acarohet shumë kur i shkelen të drejtat e më pas e bëri të bujshme e shpërndau nëpër media dhe i dërgoi ato mesazhe kudo.
Pikërisht për këtë bën thirrje SPAK-u se duke qenë se është vërtetuar se janë mesazhe të trukuara dhe të manipuluara, Prokuroria e Posaçme iu bën thirrje të gjithë figurave publike që marrin këto mesazhe është mirë të mos i shpërndajnë dhe t’ja lënë në dorë SPAK-ut që t’i hetojë. Ne po shikojmë se kemi një klimë artificialisht të tensionuar dhe po përdoret gjithçka që të krijohet një situatë false te populli pasi politikanët me njëri-tjetrin e gjejnë dhe gjuhën e përbashkët e merren vesh. Po krijohet gjithçka për të krijuar tension fals e destabilitet psikologjik.
