Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Mbas një Rambujeje, ku një tjetër Hashim po delte në skenë, u morën vendime të rëndësishme për fatet e popullit shqiptar të Kosovës. Rambujeja, ndryshoi hartën politike të Ballkanit por, fatkeqësisht realizoi edhe njërin nga parashikimet e Hashim Toplicës, që na tha që më 1969, ndarjen e kombit shqiptar në dy shtete. Parashikim, të cilin unë dhe shumë miq të mi, s’e patëm besuar, e quajtëm lajthitje të tij për mungesë informacioni. Sidoqoftë, me ndihmën e forcave të N.A.T.O.s, u korrigjuan vendimet e gabuara nga vetë ata që dikur kishin gabuar. Shqiptarët fituan lirinë e shumë-ndërruar ndër breza! Pikërisht në këtë periudhë, si shumica e shqiptarëve që hapën portat e shpirtit dhe të shtëpive, për të pritur e lehtësuar sadopak dhimbjen dhe dertet e vëllezërve të gjakut, të shkaktuara nga represioni serb, u angazhova edhe unë.
Në qytetin tim, u ngritën tri qendra pritje, në tre ish-reparte ushtarake, ku fillimisht u sistemuan pjesa më e madhe e refugjatëve, sepse një pjesë u strehuan ndër familjet beratase, që ndanë varfërinë e tyre bashkë me vëllezërit kosovarë. Në një nga këto ditë, në kampin e Moravës, ndesha një të moshuar me mbiemrin Toplica. Menjëherë m’u kujtua Hashimi, ndaj e pyeta plakun nga ishte. “Nga Prizreni”! – m’u përgjigj. Kur e thashë se mbiemri Toplica, më kujton një mikun tim të vjetër, që tashmë s’rronte më, ai më kërkoi emrin, ia thashë. Po plaku mbeti i vuvët, u lëshua i këputur mbi një stol druri gjysëm të kalbur, hoqi plisin e bardhë nga koka e thinjur dhe u zhyt në mendime të thella.
U ula edhe unë pranë tij, dërrasa kërkëlliu nën peshën time. Krisja e flrurit, e ktheu plakun në realitet, u soll drejt meje e më shihte me sy të zmadhuar nga habia dhe mosbesimi, si të kthehej nga një botë e largët. “Të pasha Zotin, or mik, s’po ma mbush synin ta kesh pas njoh Hashimin! Ka tash nji jet, q’ai asht kon ndër burgje t’Enverit! I ka hup ara dhe vorri”! Desha ta ndërprisja, ndaj e lashë t’i shfrehte gjithë këto pasthirrma; asi u shfre deri në pikën e fundit, heshti dhe u zhyt prapë në botën e re, kur kuptova se s’kish ndërmend të fliste më, u ngrita dhe e lashë aty ku ishte, vazhdova vizitën në çadrat e tjera.
