Tentuan të kalonin me gomone drejt Italisë, arrestohet një shtetas afgan dhe procedohen 10 emigrantë

Data

Policia e Vlorës ka arrestuar një shtetas afgan, i dyshuar si organizator i tentativës për transportimin e paligjshëm të 10 emigrantëve drejt Italisë me gomone, pas ndërhyrjes së Forcave Delta dhe Policisë Kufitare pranë ishullit të Sazanit.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në pranga është vënë M. E., 43 vjeç, shtetas afgan, i cili akuzohet për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Po ashtu, janë proceduar penalisht për veprën “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” 10 shtetas të tjerë nga Bangladeshi, Pakistani, Liberia, Haiti dhe Afganistani, të cilët ndodheshin në bordin e gomones.

Sipas hetimeve paraprake, autoritetet dyshojnë se 43-vjeçari kishte organizuar nga Greqia hyrjen e paligjshme të emigrantëve në territorin shqiptar, me qëllim transportimin e tyre drejt Italisë. Policia bën me dije se gomonia ishte marrë në zonën e Semanit, në Fier, në një vendndodhje që, sipas hetimeve, i ishte dërguar nga një shtetas shqiptar ende i paidentifikuar.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për të identifikuar shtetasin shqiptar të dyshuar si bashkëpunëtor, si edhe persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në organizimin e kësaj tentative për trafikimin e emigrantëve drejt Italisë.

Sqarim: Personat e përfshirë në procedim penal prezumohen të pafajshëm deri në provimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related