Një student mori fjalën gjatë protestës qytetare të zhvilluar para Kryeministrisë, duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec dhe duke i bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen.
Në fjalimin e tij, ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes së zonave natyrore dhe rolin që, sipas tij, po luan rinia në kundërshtimin e projekteve që konsiderohen të dëmshme për mjedisin.
“Zonat e mbrojtura dhe zonat e mbrojtjes kanë mbetur të pambrojtura nga qeveria. Kur mbesin të pambrojtura nga qeveria, i mbron rinia”, u shpreh ai para protestuesve.
Studenti iu drejtua gjithashtu përfaqësuesve të Bashkimit Europian në Shqipëri, duke kërkuar më shumë vëmendje ndaj shqetësimeve të ngritura nga protestuesit.
“Dua ta përdor këtë fjalë për të çuar një mesazh të qartë për ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë dhe për 27 ambasadorët: shikojeni këtë rini dhe hapni derën të fryjë era”, deklaroi ai.
Në vijim të fjalës së tij, studenti kërkoi anulimin e projektit në Zvërnec dhe rishikimin e kuadrit ligjor që, sipas protestuesve, ka mundësuar ndërhyrje në zona të mbrojtura.
“Anulo projektin dhe ligjet që kanë dëmtuar tokën publike. Jep dorëheqjen, por përpara kërko falje”, tha ai, duke iu drejtuar kryeministrit.
Protesta para Kryeministrisë vijon prej nëntë ditësh dhe ka në qendër kundërshtimin ndaj projektit të zhvillimit në zonën e Zvërnecit, si dhe kërkesa më të gjera për transparencë, mbrojtje të mjedisit dhe ndryshime politike.
