Një aksident i trefishtë është regjistruar në Rrugën e Arbrit, ku një mjet borëpastrues ka përfshirë tre automjete, duke shkaktuar plagosjen e disa personave.
Ngjarja ka ndodhur pranë tunelit të Murrizit, në anën e Klosit, teksa borëpastruesja po kryente punimet për pastrimin e dëborës. Sipas informacionit paraprak, mjeti i rëndë ka goditur një automjet tip Volkswagen që lëvizte në drejtim të Tiranës, i cili më pas është përplasur edhe me dy automjete të tjera.
Si pasojë e përplasjes, disa persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa drejtuesi i mjetit Volkswagen është transportuar në spital për ndihmë mjekësore të specializuar. Gjendja e tij shëndetësore nuk raportohet të jetë kërcënuese për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat malore dhe në kushtet e motit të keq.
