Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të ulët të shpenzimeve qeveritare për kërkim dhe zhvillim në Europë.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vitin 2024, buxheti i alokuar nga qeveria shqiptare për kërkim-zhvillim ishte vetëm 0.19% e PBB-së, ose 40.9 milionë euro në vlerë absolute.
Kjo e vendos Shqipërinë në vendin e parafundit në kontinent, duke lënë pas vetëm Rumaninë. Në Serbi, ku janë të dhënat e disponueshme për 2024, treguesi është 0.4% e PBB-së.
Në krahasim, mesatarja e Bashkimit Europian ishte 0.71% e PBB-së, me një vlerë totale prej afro 128 miliardë euro të alokuara nga buxhetet qeveritare për R&D. Diferenca është e thellë dhe tregon për mospërputhje serioze mes Shqipërisë dhe vendeve që investojnë në mënyrë të qëndrueshme në dijen, inovacionin dhe zhvillimin teknologjik.
