Kryeministri mblodhi punonjësit e Bashkisë Tiranë në “takim pune” më 20 shkurt, megjithatë ceremonia që ishte raportuar në KQZ ishte “Tirana, Kryeqytet i Kulturës dhe Dialogut 2025”.
Manifestimi i kryeministrit Edi Rama me administratën Bashkiake në sheshin “Skënderbej” ka ngritur hije të forta dyshimi jo vetëm për përdorimin e administratës shtetërore por dhe të “manipulimit” të dokumenteve zyrtare që mundësuan eventin.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se aktiviteti i zhvilluar nga Kryeministri Rama dhe Bashkia Tiranë nuk përputhej me informacionin e dhënë paraprakisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Sipas njoftimeve zyrtare, Kryeministri do të merrte pjesë në ceremoninë e hapjes së “Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”. Megjithatë, aktiviteti i zhvilluar rezultoi të ishte një takim politik me punonjës të Bashkisë Tiranë, duke ngritur dyshime për keqpërdorim të burimeve shtetërore.
Një tjetër mospërputhje e rëndësishme lidhet me datat dhe formatin e ngjarjeve të raportuara. Sipas dokumenteve, ceremonia e hapjes së projektit kulturor duhej të mbahej më 12 mars dhe jo më 20 shkurt, siç u zhvillua realisht. Për më tepër, ndryshe nga sa ishte njoftuar, në këtë aktivitet nuk ishin të pranishëm autoritete të huaja apo qytetarë të zakonshëm, por vetëm punonjës të bashkisë, duke treguar qartë qëllimin e organizatorëve për të maskuar një takim politik si një ngjarje institucionale.
