Bora dhe ngricat rrisin aksidentet, Shoqata e Siguruesve: Përgjegjësia nuk është vetëm e shoferëve, të kriposen rrugët

Data

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë ka shprehur shqetësim për situatën e krijuar në disa akse rrugore të Veriut dhe Verilindjes së vendit, ku moti i keq, bora dhe ngricat kanë sjellë vështirësi serioze në qarkullim dhe një rritje të ndjeshme të aksidenteve rrugore.

Sipas shoqatës, përgjegjësia për sigurinë në rrugë nuk mund t’u lihet vetëm drejtuesve të automjeteve, pasi mirëmbajtja rrugore ka detyrime të qarta ligjore dhe kontraktuale për pastrimin e rrugëve, kriposjen, sinjalistikën dhe menaxhimin e rrezikut.

Shoqata vëren se në disa segmente ndërhyrjet e kontraktorëve të mirëmbajtjes kanë qenë të vonuara, të pamjaftueshme ose të munguar, çka ka rritur rrezikun për qytetarët dhe ka sjellë dëme materiale të shumta. Sipas saj, kriposja dhe trajtimi parandalues i akseve kritike duhet të jetë një standard minimal, sidomos në periudhat kur ngricat dhe reshjet janë paralajmëruar.

Shoqata thekson se dëmet e shkaktuara nga aksidentet nuk janë vetëm pasojë e kushteve atmosferike, por edhe rezultat i mungesës së masave të domosdoshme të mirëmbajtjes. Në këto raste, sipas saj, duhet të funksionojë mekanizmi i përgjegjësisë rrugore, në mënyrë që barra financiare të mos bjerë vetëm mbi qytetarët dhe kompanitë e sigurimit.

Gjithashtu kërkohet më shumë transparencë dhe përgjegjësi në zbatimin dhe monitorimin e kontratave të mirëmbajtjes rrugore.

Shoqata e Siguruesve nënvizon se siguria rrugore është një përgjegjësi e përbashkët dhe nis nga rrugë të mirëmbajtura, të kriposura dhe të menaxhuara sipas standardeve. Ajo shpreh gatishmërinë për bashkëpunim institucional për ndërtimin e praktikave të qarta dhe efektive për menaxhimin e riskut rrugor gjatë motit të keq, në interes të sigurisë së qytetarëve dhe stabilitetit të sistemit të sigurimeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related