Neni 5 është thelbi i Marrëveshjes së NATO-s. Ai përcakton detyrimin për mbështetje në rast vetëmbrojtjeje, në rast se një vend i NATO-s sulmohet. Se çfarë mbështeje jepet, këtë e vendos secili anëtar vet.
“Ne do të mbrojmë çdo centimertër të territorit të NATO-s”, është shprehur vazhdimisht presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden që pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Nën këtë ombrellë mbrojtjeje dëshiron të futet Ukraina. NATO e ka premtuar vazhdimisht afrimin e Ukrainës në aleancë, por pa përmendur asnjëherë një datë. Dikur ky shtet duhet të shpërblehet me anëtarësim për luftën mbrojtëse kundrejt Rusisë.
Mbrojtje e NATO-s për një pjesë të Ukrainës?
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyj ka propozuar tani, që pjesa e Ukrainës, që është e papushtuar të pranohet në NATO. Territoret e pushtuara nga Rusia në lindje dhe gadishulli i Krimesë i aneksuar përkundër së drejtës ndërkombëtare (rreth 27 përqind e Ukrainës) fillimisht nuk duhet të përfshihen në ombrellën mbrojtëse të aleancës. Zelenskyj do të ndalojë një depërtim të mëtejshëm të trupave ruse dhe të mundësojë bisedimet me kreun e Rusisë Vladimir Putin për një armëpushim.
Teknikisht në territorin e Ukrainës mund të rregullohej vetëm një vlefshmëri e pjesshme e Marrëveshjes së NATO-s. Dokumenti i antarësimit për Ukrainën, që do të duhej të ratifikohej nga 32 vendet anëtare të NATO-s, mund të formulohet konform. Qysh tani në nenin 14 të Marrëveshjes së NATO-s janë përfshirë protokolle shtesë lidhur me çështje të tjera. Në nenin 6 të marrëveshjes përshkruhet territori i NATO-s. P.sh. disa ishuj në Karaibe ose në Paqësor, që i përkasin Francës ose Britanisë së Madhe, nuk janë territor i NATO-s. Gjatë periudhës që Gjermania de facto ishte e ndarë në dy shtete RFGJ dhe RDGJ, Marrëveshja e NATO-s vlente vetëm për pjesën perëndimore, pra Republikën Federale të Gjermanisë. Ndërsa Republika Demokratike e Gjermanisë ishte anëtare e Traktatit të të Varshavës, aelanca ushtarake e Bashkimit Sovjetik.
