Muçollari pas tragjedisë në Durrës: Modeli i Ramës po prodhon tragjedi, qytetarët po jetojnë pa siguri dhe pa hapësira për fëmijët

Data

Anëtari i kryesisë së Partia Demokratike e Shqipërisë, Grigels Muçollari, reagoi ashpër pas aksidentit tragjik në Durrës ku humbën jetën dy fëmijë, duke deklaruar se ngjarja nuk është rast i izoluar, por pasojë direkte e “një modeli të dështuar qeverisës”.

Sipas Muçollarit, tragjedia nxjerr në pah dështimin e sigurisë publike dhe shpërbërjen e strukturave të policisë, të cilat, sipas tij, nuk po arrijnë të parandalojnë ngjarje të rënda.

Ai ngriti pikëpyetje mbi faktin se si drejtuesi i mjetit, që sipas deklarimeve kishte precedentë të mëparshëm me shkelje të lidhura me alkoolin, vazhdonte të ishte i lirë dhe të drejtonte automjet.

“Nuk e kuptoj si një person që ka shkelur ligjin disa herë, sidomos për përdorimin e alkoolit, vazhdon të jetë në timon. Kjo tregon se siguria publike është cenuar rëndë”, deklaroi Muçollari.

Përfaqësuesi demokrat e lidhi tragjedinë edhe me modelin urbanistik dhe ndërtimin masiv në qytetet shqiptare, duke akuzuar qeverinë e Edi Rama për betonizim dhe mungesë të hapësirave publike për fëmijët.

Sipas tij, në shumë qytete fëmijët nuk kanë më ambiente të sigurta ku të luajnë dhe detyrohen të qëndrojnë pranë rrugëve dhe trafikut.

“Kemi krijuar një model betonizimi dhe ndërtimi masiv pa përkujdesje për cilësinë e jetës, për parqe dhe hapësira publike. Ky model prodhon tragjedi”, tha ai.

Muçollari bëri thirrje për reagim qytetar dhe protestë, duke e lidhur këtë edhe me mobilizimin e opozitës më 8 maj.

Ai theksoi se protesta nuk duhet parë si çështje partie, por si reagim qytetar për sigurinë, jetën dhe cilësinë e jetesës në vend.

“Nëse modeli nuk ndryshon, ngjarje të tilla do të përsëriten. Qytetarët duhet të reagojnë për jetën dhe të ardhmen e tyre”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related