Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas përfundimit të seancës gjyqësore ndaj kreut të kësaj force politike, Ilir Meta, duke deklaruar se procesi ndaj tij është i motivuar politikisht dhe se nuk ekzistojnë prova penale.
Në një prononcim për mediat, Blushi u shpreh se zhvillimet e seancës, sipas tij, treguan se organi i akuzës nuk disponon fakte që mbështesin akuzat ndaj Metës.
“Edhe kjo seancë provoi se ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë. Edi Rama kurrë nuk është marrë në pyetje, por do të thirret si dëshmitar në çështjen McGonigal. Nuk ka asnjë provë penale kundër Metës. Ka qenë dhe është një proces fals i stisur nga Edi Rama dhe McGonigal,” deklaroi Blushi.
Ai komentoi edhe çështjen e mbrojtjes ligjore të Metës, duke vlerësuar aftësinë e tij për të përballuar procesin.
“Avokat më të mirë se veten e vet Meta nuk besoj se do të gjejë. Se kë do të zgjedhë që ta mbrojë e vendos ai, por zoti Meta s’ka nevojë për avokat. Nuk ka një qindarkë të paligjshme,” u shpreh Blushi.
Deklaratat e Blushit vijnë pas seancës së zhvilluar në Gjykatën e Posaçme, ndërsa procesi gjyqësor ndaj Ilir Metës vijon. Akuzat dhe pretendimet e bëra nga përfaqësuesit e Partisë së Lirisë përfaqësojnë qëndrimin e tyre dhe mbeten pjesë e debatit gjyqësor që pritet të shqyrtohet nga organet kompetente.
