Media holandeze Welingelichte Kringen i ka kushtuar vëmendje zhvillimeve të samitit të NATO-s të mbajtur në Turqi, duke raportuar se në deklarimet e liderëve të Aleancës nuk është përmendur Shqipëria si vendi pritës i samitit të ardhshëm.
Sipas artikullit, diplomatë të cituar nga media holandeze e lidhin këtë me nivelin e shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen, duke e cilësuar si një sinjal presioni ndaj Tiranës për të përmbushur angazhimet e marra në kuadër të NATO-s.
Raporti thekson se Shqipëria ishte përcaktuar vitin e kaluar, gjatë samitit në Hagë, si mikpritëse e një samiti të ardhshëm të Aleancës. Megjithatë, sipas medias, vendi nuk kishte arritur objektivin e mëparshëm të shpenzimit të 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, ndërsa vendet anëtare tashmë kanë rënë dakord për rritjen e mëtejshme të këtij niveli.
Sipas Welingelichte Kringen, edhe për vitin 2026 ekzistonin dyshime nëse Shqipëria do ta arrinte këtë objektiv, por angazhimet e marra së fundmi bëjnë që NATO të presë që vendi të kalojë pragun prej 2% gjatë këtij viti.
Artikulli citon burime diplomatike, sipas të cilave mosreferimi i Shqipërisë si organizatore e samitit të ardhshëm nuk duhet parë si një vendim përfundimtar, por si një mënyrë për të rritur presionin ndaj autoriteteve shqiptare.
Sipas të njëjtave burime, për sa kohë që NATO nuk ka caktuar një vend tjetër mikpritës, vendimi i marrë në samitin e Hagës mbetet ende në fuqi.
