Sezoni artistik rikthen dhe problemet në institucionet e artit, ku për artistët kontrata kolektive e punës duhet të jetë në standardet europiane. Herë pas here artistë të ndryshëm kanë folur jo vetëm për statusin artistit dhe ligjin e artit që duhet përmirësuar, por dhe vëmendjen që duhet treguar për kontratën kolektive të punës. Tenori Rudi Sata thotë se është një kontratë jo profesionale, ku edhe më parë i ka kërkuar ministrit të Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja që ajo të rishikohet. Tenori thotë se kontrata e hartuar sipas standardeve europiane është çelësi për ti dhënë frymëmarrje institucioneve. “Ne jemi në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit me një kontratë kolektive që është bërë që në 2007, më pas u bë me kontrata individuale dhe asgjë. Unë atë e kam kërkuar, perceptuar çelësi i kthesës për t’i dhënë frymëmarrje institucioneve dhe për të shkuar me standarde europiane. Po nuk u zhbë kjo kontratë kolektive e tanishme që është e cunguar, ka shumë vakume dhe ka shumë përplasje me dispozitat e tjera dhe nuk përfaqëson asnjë standard europian profesional nuk mund të pretendosh që do të kesh një hov të madh të institucioneve të artit, sepse kjo kontratë e paralizon totalisht artistin dhe institucionin”,thotë Rudi Sata në një reagim të tij. Sipas tenorit Rudi Sata me kohën sot duhet të hartohet ajo që ai e quan kontrata profesionale nacionale. Lidhur me kontratën që është, tenori Rudi Sata thotë se nuk mund të funksionojnë institucionet. “Kontrata kolektive e punës është një kontratë mediokre që nuk ka lidhje. Qeshin bota nëse i thua se institucionet funksionojnë me këtë kontratë. Unë ia kam thënë dhe ministrit, kjo kontratë është aspak profesionale ndaj duhet bërë kontrata profesionale nacionale”, thotë Sata.
Kontrata si në institucionet e tjera në botë
Tenori Rudi Sata sjell në vëmendje dhe disa nga ndryshimet që duhen bërë në kontratën kolektive të punës. Ai thotë se duhet hartuar një kontratë siç është dhe në institucionet e tjera në botë. “Ne e duam siç e kanë gjithë institucionet e botës. Që nuk shkruhet që artisti punon 40 orë në javë se ashtu e ka kodi i punës dhe që të plotësohen 40 orët në javë u dashka me punu edhe një ditë tjetër, ose ku shkruhet 8 orë në ditë se ashtu e ka kodi i punës. Ndërkohë bota e ka krejt tjetër gjë. Ora ka kontratë pune profesionale. Ka edhe shumë pika të tjera”, tregon tenori Rudi Sata. Në janar të këtij viti e tenori Rudi Sata përmes një letre të hapur i kërkoi ministrit Gonxhja që kontrata kolektive të rishikohet, ku sipas tij si kontratës kolektive ashtu edhe asaj individuale i mungojnë nene, të cilat ja dikton kodi i punës. Sata shprehej se referuar këtij realiteti dhe fakteve ligjore i bënte apel ministrit të Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit të marrë veprime konkrete për të ndryshuar situatën.
