Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur një aksion kontrollesh ndaj subjekteve që operojnë në sektorin e ndërtimit, për deklarimin e pagave nën nivelin real. Verifikimet po kryhen nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet e para janë ushtruar në 9 subjekte që ushtrojnë aktivitet si agjenci imobiliare, ku janë evidentuar shkelje të rënda ligjore. Mes tyre rezultojnë punonjës të padeklaruar, dokumentacion jotatimor, mungesë transparence në çmimet e shitjeve si dhe mosrespektim i detyrimeve për faturimin dhe fiskalizimin.
Bazuar në provat e mbledhura, përfshirë intervistat dhe vetëdeklarimet e punonjësve, Administrata Tatimore ka sekuestruar njësi kompjuterike për vijimin e hetimeve të thelluara. Nga të dhënat paraprake rezulton evazion tatimor i lidhur me çmimet reale të shitjes së apartamenteve.
Tatimet theksojnë se ky aksion nuk është i përkohshëm dhe do të vijojë me vendosmëri ndaj çdo subjekti që nuk reflekton pagat reale në listëpagesa, duke cenuar pensionet e punonjësve, konkurrencën e ndershme dhe interesin publik.
