Dhjetëra banorë të Tiranës dhe qyteteteve të tjera vlerësojnë përmes një ankete në Faktoje se transporti publik është një nga problemet kryesore që neglizhohet nga pushteti vendor, ndërsa kërkojnë zgjidhje për cilësinë e shërbimit dhe shmangien e vonesave.
Shpëtim Bendaj e ndan jetën mes Beratit dhe Londrës dhe sipas tij, dallimi i madh mes dy qyteteve nis nga transporti publik.
“Kur unë zbres në Londër me bashkëshorten dhe djalin, që në aeroport janë të renditur autobusët sipas qyteteve dhe stacioneve. Për çdo qytet të Britanisë së Madhe apo stacionet qendrore kanë linjën e vet të autobusit, por edhe të trenit,” thotë ai.
Shumë larg nga Britania e Madhe, në qytetin e lindjes së Bendajt transporti publik nuk i mbulon të gjitha zonat. Ky problem nuk është i kufizuar vetëm në qytetin e Beratit.
“Kjo gjë nuk është as në Tiranë e as në Berat, sepse unë përdor edhe transportin publik në Tiranë. Në Berat, transporti publik ofrohet vetëm në qendrat e banuara, nuk ka në të gjitha zonat. Veç kësaj, në Berat pas orës 10 PM nuk funksionon transporti publik,” shtoi ai.
