“Po të jetë burrë, le të vijë Rama!” – Berisha shpërthen në Kuvend: Siç dorëzuat Veliajn, do dorëzoni edhe Belindën

Data

Seanca e parë plenare e vitit 2026 u shndërrua në një përplasje të fortë politike, pasi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, së bashku me deputetët e opozitës, bllokuan foltoren e Kuvendit duke kundërshtuar ashpër praninë e zëvendëskryeministres Belinda Balluku në sallë.

Opozita e cilësoi praninë e saj si një provokim të hapur ndaj qytetarëve shqiptarë dhe një akt mbrojtjeje politike nga ana e mazhorancës. Me tone të ashpra, Berisha akuzoi qeverinë se po përdor Kuvendin si bunker për të penguar drejtësinë.

“Ju po mbroni një personazh që është bërë famoz në botë për vjedhje bashkë me Edi Ramën”, deklaroi Berisha nga foltorja, mes thirrjeve dhe tensionit në sallë.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksoi se precedenti tashmë ekziston dhe paralajmëroi se edhe Balluku do të përballet me drejtësinë. “Siç dorëzuat Veliajn, do dorëzoni edhe Ballukun. Mos e ktheni Kuvendin në bunker të korrupsionit”, u shpreh ai.

Në kulmin e debatit, Berisha iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke e sfiduar publikisht: “Mos provokoni qytetarët! Prania e Lubisë në Parlament është provokacioni më i ulët ndaj shqiptarëve. Po të jetë burrë, le të vijë Rama vetë këtu, të mos fshihet pas Lubisë”.

Deputetët e opozitës vijuan bllokimin e foltores, duke kërkuar heqjen e imunitetit të Ballukut dhe dorëzimin e saj para drejtësisë, ndërsa mazhoranca u përpoq të vijonte seancën mes zhurmës dhe protestës në sallë.

Përplasja e sotme tregon se tensionet politike pritet të përshkallëzohen, ndërsa opozita paralajmëron se nuk do të lejojë normalizim të punimeve të Kuvendit pa u trajtuar çështja Balluku.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related