Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për mobilizim qytetar dhe pjesëmarrje masive në protestën kombëtare që opozita do të zhvillojë më 22 dhjetor, duke e cilësuar atë si fillimin e një vale protestash të pandërprera kundër qeverisë Rama.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha u kërkoi deputetëve të angazhohen drejtpërdrejt me qytetarët dhe t’i ftojnë ata të marrin pjesë në protestën që do të nisë në orën 18:00, përpara Kryeministrisë.
Sipas tij, arsyeja kryesore pse kryeministri Edi Rama vijon të qëndrojë në pushtet është mungesa e reagimit të fortë qytetar në rrugë.
“Rama qëndron në pushtet sepse ne nuk jemi në rrugë me protesta për t’i treguar vendin diktaturave. Pa protesta të qëndrueshme, narkodiktaturat nuk largohen”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se protesta e 22 dhjetorit do të shënojë nisjen e një rezistence të vazhdueshme politike dhe qytetare, me synimin për rrëzimin e qeverisë aktuale dhe rikthimin e votës së lirë.
Berisha u bëri thirrje deputetëve demokratë që në çdo takim me qytetarët të përcjellin mesazhin e mobilizimit dhe të mos pranojnë, siç tha ai, “verdiktin e diktuar nga Edi Rama”.
“Të ngrihemi. E hëna, 22 dhjetor, ora 18:00, është fillimi i protestës sonë. Ne kemi vetëm një rrugë: protestën, protestën deri në largimin e Ramës”, deklaroi kreu i PD-së.
Sipas tij, vendimi dhe angazhimi personal i secilit deputet dhe qytetar është thelbësor për suksesin e kësaj lëvizjeje opozitare.
