Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK.
Berisha e cilësoi këtë vendim si një goditje serioze ndaj luftës kundër korrupsionit, duke akuzuar mazhorancën se ka përdorur institucionet e drejtësisë për të mbrojtur interesat e saj politike dhe financiare.
Sipas tij, vendimi i Kushtetueses i ka dhënë kryeministrit Edi Rama atë që e quajti “licencë për vjedhje publike”, duke hequr masën e sigurisë dhe duke i krijuar mundësi Ballukut të ndërhyjë në procesin hetimor.
Berisha deklaroi se rikthimi në detyrë i një zyrtareje të hetuar i hap rrugë prishjes së provave dhe shkatërrimit të dokumenteve që lidhen me çështjen në fjalë, duke e bërë të pamundur një hetim të paanshëm.
Ai shtoi se ky vendim dëshmon, sipas tij, kapjen e sistemit të drejtësisë dhe pamundësinë për të zhvilluar një luftë reale kundër korrupsionit në kushtet aktuale.
Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi qeverinë se ka ushtruar presion mbi gjyqtarët e Kushtetueses dhe se rikthimi i Ballukut lidhet me afera të rënda financiare, përfshirë projektin e Tunelit të Llogarasë.
Sipas kreut të PD-së, ky akt shkatërron çdo besim publik tek drejtësia dhe e bën, siç u shpreh ai, “qesharak çdo pretendim për luftë kundër korrupsionit nga një sistem i kapur deri në palcë”.
