Berisha shpërthen për skandalin “KAYO”: “Aferës sapo i doli koka, Rama përdor çdo qelizë të shtetit për të vjedhur”

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj skandalit që lidhet me kompaninë izraelite Elbit Systems dhe bashkëpunimin e saj me kompaninë shqiptare KAYO, të drejtuar nga Ardi Veliu dhe Pirro Vengu. Në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se kësaj afere “sapo i ka dalë koka”, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor çdo hallkë të shtetit për të përfituar personalisht.

“Edi Rama gjithçka e përdor për të vjedhur. Skandalit me kompaninë KAYO sapo i doli koka. Ky njeri ka vendosur të bëhet multimiliarder”, tha Berisha, duke e lidhur çështjen me atë që e cilësoi si presionin e kryeministrit ndaj institucioneve financiare dhe shtetërore.

Berisha akuzoi Ramën se licencoi një bankë Bitcoin offshore pas presionit të fortë ndaj Bankës së Shqipërisë, duke e konsideruar këtë një veprim me rrezik të lartë për ekonominë kombëtare.

“Pse offshore? Pse nuk e hap këtu? U dorëzua guvernatori, u dorëzua edhe bordi, pas rezistencës disavjeçare ndaj presionit të tmerrshëm të Edi Ramës”, theksoi ai.

Skandali ndërkombëtar: Hetime, urdhër-arreste dhe kontrata të pezulluara nga NATO

Autoritetet belge kanë hapur një hetim të gjerë mbi kontratat e dyshuara të manipuluara nga Elbit Systems, kompani izraelite e mbrojtjes, e cila ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi edhe me kompaninë shqiptare KAYO.

Prokuroria Federale e Belgjikës ka lëshuar urdhër ndërkombëtar arresti për shtetasin italian Eliau Eluasvili, i dyshuar për “korrupsion aktiv” dhe “pjesëmarrje në organizatë kriminale”. Ai dyshohet se gjatë viteve ka ndërmjetësuar kontrata të manipuluara në Agjencinë e Prokurimeve të NATO-s (NSPA), duke përdorur një rrjet kompanish në Lituani, SHBA, Britani, Greqi e Rumani.

Sipas dokumenteve të brendshme të NATO-s, janë pezulluar 15 kontrata, ku 13 prej tyre lidhen me Elbit Systems dhe filialin e saj Orion Advanced Systems—kontrata që kapnin furnizime me municione, ndezës ajrorë dhe predha 155 mm për vendet e Aleancës.

Krejt në vëmendje është edhe modernizimi i flotës portugeze të patrullimit, një projekt prej 100 milionë eurosh, tani i bllokuar.

Hetimet ngrenë dyshime të forta mbi një rrjet të konsoliduar ish-agjentësh të NATO-s, të kthyer në konsulentë privatë, të cilët dyshohet se kanë përdorur kontaktet e tyre për favore dhe ndikim në tenderët ndërshtetërorë.

Njëri prej tyre, belgu Guy Moeraert, është nën hetim pasi dyshohet se ka marrë 1.9 milionë euro ryshfet për kontrata municionesh dhe pajisjesh aeronautike. Ai ndodhet me masë sigurie “etiketim elektronik” pas një periudhe në burg.

Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse ky rrjet është përdorur për të siguruar kontrata edhe për kompaninë shqiptare KAYO, përmes Eluasvilit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related