Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rikthyer debatin mbi ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, duke deklaruar se projekti nuk duhej të realizohej në vendndodhjen aktuale, por në zonën e kthesës së Levanit, e cila sipas tij ishte rekomanduar nga ekspertët dhe konsiderohej më e përshtatshme nga ana teknike dhe mjedisore.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha kujtoi se gjatë qeverisjes së tij ishte ngritur një grup ekspertësh multidisiplinar për të studiuar mundësinë e ndërtimit të aeroportit në jug të vendit. Sipas tij, përfundimet e ekspertëve sugjeronin qartë se aeroporti duhej të ndërtohej në Levan, pasi zona nuk kishte konflikt me lagunat, lumin Vjosë apo ekosistemet e mbrojtura dhe do t’i shërbente jo vetëm Vlorës, por edhe Fierit, Beratit dhe Gjirokastrës.
Berisha pretendoi se ekspertët kishin argumentuar se ndërtimi në zonën aktuale do të sillte pasoja serioze për habitatin e shpendëve dhe do të krijonte probleme të vazhdueshme për sigurinë ajrore. Ai shtoi se një pjesë e madhe e specialistëve kishin kundërshtuar projektin në vendin ku po ndërtohet sot aeroporti.
Sipas kreut demokrat, vendimi përfundimtar nuk u bazua në rekomandimet profesionale, por në një zgjedhje personale të kryeministrit Edi Rama. Berisha akuzoi qeverinë se injoroi raportet e ekspertëve dhe zgjodhi një zonë që sipas tij rrezikohet nga përmbytjet dhe ndërhyrjet në ekosistemin natyror.
Ai paralajmëroi se trafiku ajror mbi lagunën dhe zonat përreth mund të ndikojë negativisht në habitatin e shpendëve, ndërsa insistoi se alternativa e Levanit do të kishte qenë më e sigurt, më funksionale dhe më pak problematike për mjedisin.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës mbetet një nga projektet më të debatuara infrastrukturore në vend, për shkak të diskutimeve mbi ndikimin e tij mjedisor dhe përzgjedhjen e vendndodhjes.
