Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sot pas zgjedhjes së Joni Ketës si drejtor i ri i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), vendim i marrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 11 vota pro, pas propozimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Berisha e cilësoi procesin e votimit si një procedurë të zakonshme, ndërsa theksoi se nuk ka asnjë njohje personale apo profesionale me Ketën.
“Procedurë normale. Personin nuk kam asnjë njohuri për të. Për persona që nuk i njoh, s’flas kurrë. Nuk kam asnjë informacion, madje edhe po të bëj një kontroll në arkivën time digjitale, nuk del kund,” u shpreh kreu i PD-së.
Joni Keta, i cili më parë mbante detyrën e zv.drejtorit të BKH-së, u përzgjodh si drejtues i strukturës që mbështet SPAK-un në hetimet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Procesi i rekrutimit kishte nisur disa muaj më parë dhe përfshinte 7 kandidatë.
Me zgjedhjen e tij, Keta do të drejtojë BKH-në për një mandat 5-vjeçar, duke pasuar Aida Hajnajn, drejtuesen e parë të kësaj strukture.
