Berisha për protestat: Demokratët janë pjesë e tyre, thirrjet kundër meje janë “dufe dhe mllefe të akumuluara”

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar protestat qytetare që po zhvillohen prej javësh në Tiranë, si edhe sloganet që janë dëgjuar gjatë tubimeve, përfshirë thirrjen: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

Gjatë një komunikimi me qytetarët, Berisha deklaroi se demokratët marrin pjesë në protesta si qytetarë dhe jo me simbolet e Partisë Demokratike, duke e cilësuar këtë një zgjedhje të drejtë.

“Demokratët janë të gjithë në protestë. Në këtë protestë marrin pjesë qindra e mijëra demokratë në mënyrë të vazhdueshme. Mendoj se ka qenë vendimi më i drejtë që ata kanë marrë, të mos shkojnë me simbolet e partisë, por si demokratë dhe si qytetarë,” u shpreh ai.

Lidhur me sloganet që e vendosin në të njëjtin plan me kryeministrin Edi Rama, Berisha tha se ato nuk përfaqësojnë, sipas tij, frymën e protestës, por i cilësoi si reagime të një grupi që ai e quajti “opozita e opozitës”.

“Janë slogane dhe klithma mjerane të opozitës së opozitës, të cilat duke krahasuar Ramën me Sali Berishën, kërkojnë të zbusin pozitën e Ramës dhe të krijojnë qorrsokak politik,” deklaroi kreu i PD-së.

Sipas Berishës, nuk mund të barazohet përgjegjësia e qeverisë me atë të opozitës, ndërsa shtoi se këto reagime janë, sipas tij, “dufe dhe mllefe të akumuluara” të individëve që kanë hyrë në politikë si kundërshtarë të opozitës.

Në përfundim, ai ritheksoi se pjesëmarrja e demokratëve në protestë është një vendim i drejtë dhe se ata vijojnë të mbështesin kërkesat qytetare duke marrë pjesë si individë dhe jo në emër të strukturave partiake.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related