Ekonomia shqiptare vijoi zgjerimin edhe gjatë vitit 2025, me një rritje prej 3.5% në tremujorin e dytë, por ky zhvillim nuk u reflektua pozitivisht në tregun e punës. Të dhënat më të fundit nga INSTAT tregojnë se në periudhën korrik–shtator 2025, numri i të punësuarve në grupmoshën 15–64 vjeç u ul me 19,561 persona, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë që punësimi pësoi rënie të ndjeshme, norma e papunësisë mbeti e pandryshuar, çka tregon se problemi kryesor nuk lidhet me shtimin e personave që kërkojnë punë, por me tkurrjen e forcës së punës. Fenomeni lidhet drejtpërdrejt me rënien e popullsisë dhe emigracionin, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë matjen reale të vendeve të reja të punës që krijohen nga rritja ekonomike.
Sipas analizës sipas grup-moshave, tkurrja më e fortë e punësimit është regjistruar tek të rinjtë 15–29 vjeç, me mbi 11 mijë të punësuar më pak krahasuar me një vit më parë. Ky grup përbën peshën kryesore të rënies totale të punësimit dhe pasqyron qartë vijimin e emigracionit të lartë të të rinjve.
Rënie ka shënuar edhe grup-mosha 30–64 vjeç, me mbi 8,500 persona më pak të punësuar, duke treguar se nga tregu i punës po largohen jo vetëm të rinjtë, por edhe punonjës me eksperiencë, kryesisht përmes emigracionit.
Përveç faktorëve demografikë, punësimi është ndikuar edhe nga kriza në sektorët me intensitet të lartë pune, si industria dhe bujqësia. Bizneset, veçanërisht në prodhimin fason, po shkurtojnë vende pune për shkak të rënies së kërkesës në tregjet ndërkombëtare, falimenteve dhe humbjeve nga forcimi i lekut. Ndërkohë, sektorë si ndërtimi, shërbimet dhe aktivitetet sezonale kanë ngadalësuar ritmet e rekrutimit për shkak të kostove në rritje dhe presionit mbi pagat.
Situata demografike mbetet shqetësuese. Popullsia në moshë pune po zvogëlohet, numri i të rinjve që hyjnë në treg vazhdon të bjerë, ndërsa emigracioni mbetet në nivele të larta. Në tremujorin e tretë të vitit 2025, forca e punës 15–64 vjeç u vlerësua në 1,150,656 persona, ose 20,344 persona më pak se një vit më parë, një tkurrje prej 1.7%.
Ndryshe nga vendet e zhvilluara, ku rënia e punësimit shoqërohet automatikisht me rritje të papunësisë, në Shqipëri një pjesë e personave që humbin punën nuk regjistrohen si të papunë. Shumë prej tyre janë të gatshëm të emigrojnë ose zgjedhin të qëndrojnë jashtë tregut të punës derisa të gjejnë kushte më të favorshme, duke e bërë panoramën e tregut të punës edhe më komplekse.
