Berisha bën “spastrimin” në Këshillin Kombëtar, jashtë listës emra të njohur të PD-së si Bumçi, Imami, Hajdari dhe Voltana Ademi

Data

Kuvendi Kombëtar i Partia Demokratike e Shqipërisë po shoqërohet me ndryshime të rëndësishme në strukturat drejtuese të partisë, ndërsa lista e re për Këshillin Kombëtar ka lënë jashtë një numër figurash të njohura të demokratëve.

Sipas listës së kandidatëve të propozuar për votim, rreth 38 emra që kanë qenë pjesë e përbërjes së mëparshme të Këshillit Kombëtar nuk janë rikandiduar, duke sinjalizuar një riformatim të rëndësishëm të forumit më të lartë drejtues të partisë mes dy kuvendeve.

Mes emrave më të spikatur që mungojnë në listën e re janë Aldo Bumçi, Arben Imami, Julian Deda, Rudina Hajdari, Robert Budina, Voltana Ademi dhe Bujar Kapexhiu.

Ndryshimet vijnë në një moment kur Partia Demokratike ka miratuar statutin e ri dhe po zhvillon procesin e zgjedhjes së strukturave të reja drejtuese, në kuadër të asaj që drejtuesit e partisë e kanë cilësuar si proces ripërtëritjeje dhe riorganizimi.

Lista e figurave që nuk janë përfshirë në kandidaturat për Këshillin Kombëtar ka nxitur diskutime brenda radhëve të demokratëve, pasi përfshin emra me kontribute të hershme politike, ish-ministra, ish-deputetë dhe personalitete publike që kanë qenë pjesë e strukturave drejtuese të PD-së ndër vite.

Votimi për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar po zhvillohet në kuadër të punimeve të Kuvendit Kombëtar, ndërsa rezultatet pritet të përcaktojnë ekuilibrat e rinj brenda Partisë Demokratike për periudhën e ardhshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related