Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po negocion dorëzimin e Belinda Ballukut para drejtësisë, me kusht që bashkëshortja e tij, Linda Rama, të mos thirret në SPAK.
Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Rama po zhvillon negociata për të “shitur Belindën për Lindën”, duke e cilësuar një skenar të tillë si të papranueshëm dhe të rrezikshëm për sistemin e drejtësisë në vend.
Sipas tij, përfaqësues të Bashkimit Evropian që kanë qenë në Shqipëri kanë përcjellë mesazhin se Belinda Ballukut duhet t’i hiqet imuniteti dhe të mos ketë pengesa për drejtësinë.
Berisha ngriti pikëpyetje nëse SPAK do të pranonte një marrëveshje të tillë, duke paralajmëruar se kjo, sipas tij, do të shënonte fundin dhe kapitullimin e institucioneve të drejtësisë.
Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga kryeministri Rama, Belinda Balluku apo përfaqësues të SPAK lidhur me këto pretendime.
