Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga foltorja me demokratët e Krujës ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke pretenduar se pas çështjes së Ergys Agasit qëndron vetë kreu i qeverisë.
Berisha deklaroi se në Shqipëri “fuqia e vërtetë është droga dhe miliardat e saj”, ndërsa e përshkroi Agasin si një person pa funksion të rëndësishëm zyrtar, por që sipas tij, ishte bërë i gjithëpushtetshëm për shkak të mbështetjes së drejtpërdrejtë nga Rama.
“Ergys Agasi ishte një koordinator, por u bë i gjithfuqishëm sepse pas tij qëndronte Edi Rama. Çdo natë merrte udhëzime prej tij,” tha Berisha.
Ai përmendi emrat e Taulant Ballës, Ervin Hoxhës dhe Bledi Çuçit, duke pretenduar se janë shkarkuar për shkak të qëndrimeve të tyre lidhur me ndërhyrjet në Policinë e Shtetit.
Sipas Berishës, njërit prej ministrave i është komunikuar në zyrë një ultimatum: “Me këta tre kriminelë në polici ne ndërpresim marrëdhëniet”. Ministri, sipas tij, është përgjigjur se nuk kishte autoritet mbi situatën dhe se i gjithë autoriteti ishte te kryeministri.
Berisha shtoi se pas këtij episodi, ministri në fjalë u shkarkua brenda një muaji, duke e cilësuar këtë si provë të ndikimit dhe kontrollit të centralizuar në qeveri.
