Berisha: Rama po bën ligj për të mbrojtur vjedhjet mbi 1 miliard euro

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po tenton të ndryshojë ligjin për të mbrojtur veten dhe ministrat e tij nga drejtësia. Nga foltorja me demokratët, Berisha e cilësoi këtë nismë si një “grusht shteti” dhe përpjekje për të paralizuar organet e drejtësisë.

Sipas tij, mazhoranca po ndërhyn në legjislacion për të krijuar një mburojë ligjore ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë, në një kohë kur, siç u shpreh ai, janë kapur në flagrancë me afera që sipas tij kapin vlerën mbi 1 miliard euro.

Berisha deklaroi se përgjegjësia për vendimmarrjen dhe autoritetin përfundimtar qëndron te kryeministri, duke e akuzuar atë si drejtues të një strukture që, sipas tij, funksionon si organizatë kriminale. Ai pretendoi se shkarkimet dhe lëvizjet në qeveri bëhen në funksion të mbrojtjes së interesave personale.

Duke iu referuar çështjes së AKSHI-t, Berisha tha se Rama “vajtonte dhe derdhte lot” për ish-drejtoreshën e institucionit, ndërkohë që, sipas tij, ajo drejtonte një strukturë të përfshirë në afera të rënda.

“Janë kapur në vjedhje dhe tani po bëjnë ligjin si mburojë për të vazhduar vjedhjen bashkë me ministrat e tyre”, u shpreh Berisha, duke shtuar se vendi ndodhet në një “udhëkryq të rrezikshëm” dhe se opozita do të vijojë betejën kundër asaj që e cilëson kapje të shtetit nga qeveria.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related