Lufta kundër pastrimit të parave dhe konfiskimi i pasurive me origjinë kriminale ka sjellë një përplasje të fortë mes politikës dhe drejtësisë. Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodjan Braho, deklaroi se institucioni do të vijojë pa kompromis sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që burojnë nga aktiviteti kriminal, duke i cilësuar ato si një “tumor” për ekonominë shqiptare.
Sipas Brahos, pasuritë e krijuara nga krimi i organizuar fuqizojnë grupet kriminale dhe krijojnë burimet financiare që ushqejnë korrupsionin, ndaj konfiskimi i tyre mbetet një nga instrumentet më të rëndësishme në luftën kundër kriminalitetit.
“Pasuritë që burojnë nga krimi i organizuar janë si një tumor në ekonomi. Nuk ka zgjidhje tjetër veçse të sekuestrohen dhe të konfiskohen, sepse vetëm kështu ndërpritet fuqizimi financiar i grupeve kriminale dhe zinxhiri që ushqen korrupsionin”, u shpreh Braho.
Deklaratat e kreut të SPAK erdhën pasi deputetë të mazhorancës dhe opozitës ngritën shqetësime për efektet që konfiskimet mund të kenë mbi persona të tretë dhe sektorë të ekonomisë.
Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, kërkoi që të merret në konsideratë mbrojtja e porositësve, furnitorëve dhe palëve të treta që veprojnë në mirëbesim, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, ku sipas tij ekspozimi ekonomik është shumë i madh.
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, ngriti shqetësimin se në shumë raste personat e tretë nuk përfshihen në proceset gjyqësore dhe përballen me konfiskimin e pronave pa pasur mundësi të mbrojnë interesat e tyre. Ai sugjeroi shqyrtimin e ndryshimeve ligjore për të garantuar mbrojtje juridike për këto raste.
Braho ritheksoi se SPAK do të vijojë të zbatojë ligjin ndaj çdo pasurie që provohet se lidhet me veprimtari kriminale, duke theksuar se lufta kundër pastrimit të parave mbetet një prioritet i institucionit. Ai nënvizoi se nuk do të ketë tërheqje nga sekuestrimet dhe konfiskimet, pavarësisht debateve politike që kanë shoqëruar procesin.
