Mes Sali Berishës dhe ‘besnikut’ të tij Belind Këlliçi duket se ka nisur një përplasje, që nuk ka mbetur vetëm brenda mureve të PD, por të dy po e shfaqin publikisht në mënyrë të tërthortë. Pasi urdhëroi gazetarin e medias së familjes së tij, Çim Pekën, që të sulmojë publikisht Belind Këlliçin përse ai lavdëroi SPAK, tashmë Berisha po i shfaq hapur edhe vetë pakënaqësitë me Këlliçin.
Edhe pse e vendosi në listën e sigurt të Tiranës për ti dhënë një vend në Kuvend në shtator, raportet mes Berishës dhe Këlliçit tani duken se nuk qenkan aq të shëndetshme, aq më pak kur bëhet fjalë për drejtësinë e re, SPAK-un, që Berishën dhe dhëndrin i ka marrë të pandehur për aferën Partizani.
Nga selia blu teksa sulmoi kreun e SPAK, Altin Dumani se nuk po bën asgjë për votën e lirë, Berisha kishte rezervuar edhe një mesazh për Belind Këlliçin. Pa iu bërë asnjë pyetje e drejtpërdrejtë për Këlliçin, Berisha doli vetë në temë duke u thënë gazetarëve se para se të vinte në seli “kishte marrë në telefon Belindin” dhe e pyeti “ku je?”. Sipas Berishës, Këlliçi i tha se ishte në Prokurorinë e Tiranës pasi kallëzimi për zyrën e Erion Braçes ku pretendonin se organizohej blerja e votave më 11 maj.
