Një adoleshente me origjinë shqiptare, rreth 13 vjeç, humbi jetën tragjikisht mëngjesin e të premtes në Piacenza të Italisë.
Ajo ra nga çatia e një pallati 7 katësh në rrethana ende të paqarta. Vajza përfundoi nga kati i 7-të në tarracën e një apartamenti në katin e katërt, por ekipi i shpëtimit nuk mundi të bënte asgjë për të.
Mediat italiane raportojnë se autoritetet e drejtësisë kanë nisur hetimet për vrasje me dashje, teksa të hënën pritet të dalin dhe rezultatet e autopsisë së viktimës.
Në lidhje me hetimet për ngjarjen u shoqërua në Polici edhe i dashuri i viktimës, një 15-vjeçar shqiptar, i cili ishte i pranishëm në momentin e hedhjes së vajzës. Pasi u mor në pyetje për një kohë të gjatë, ku kishte deklaruar se e mitura u hodh vetë, ai u la i lirë nga autoritetet. Ndërkohë për familjarët e viktimës, ai është i dyshuari kryesor.
“E hodhi poshtë, ajo nuk ishte e çmendur apo e dëshpëruar, ajo ishte një tjetër viktimë e dhunës. Ishte i fiksuar pas saj, u përpoq në çdo mënyrë ta hiqte qafe atë.”, shkruan e motra e viktimës në një shpërthim publik në rrjetet sociale, duke publikuar edhe disa screenshot nga bisedat me motrën e saj, të cilat nxjerrin në pah disa nga sjelljet e djalit të konsideruara si problematike.
