Gazetari Andi Tela ka komentuar zhvillimet më të fundit që lidhen me procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe diskutimet për raportin IBAR, duke theksuar se problematikat kryesore lidhen me shtetin e së drejtës dhe funksionimin e drejtësisë.
I ftuar në një studio televizive, Tela deklaroi se Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka përmbushur kushtet për të nisur mbylljen e kapitujve të negociatave, por disa shtete anëtare po kërkojnë garanci dhe plotësim të kushteve shtesë.
“Komisioni Europian thotë që Shqipëria i ka plotësuar kushtet për të filluar mbylljen e kapitujve. Përballë tij është oponenca e vendeve anëtare që kërkojnë plotësimin e disa kushteve të tjera”, tha Tela.
Sipas tij, ngërçi nuk lidhet me çështje teknike, por me standardet demokratike dhe sundimin e ligjit në vend.
“Janë çështjet themelore të shtetit të së drejtës, drejtësisë dhe demokracisë në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë për elementë teknikë si mjedisi apo siguria ushqimore”, u shpreh gazetari.
Tela përmendi edhe çështjen e imunitetit të Belinda Balluku si një nga temat që ka sjellë tension në raportet me partnerët europianë.
Ai tha se një tjetër vendimmarrje e ngjashme do të konsiderohej “gabimi i dytë” pas rastit Balluku, por sipas tij, maxhoranca nuk ka guxuar të ecë më tej me një veprim të tillë.
“Nëse do ta bënin këtë, do të ishte gabimi i dytë pas Ballukut. Nuk guxuan ta bëjnë dhe e kanë lënë çështjen pezull në komisione”, deklaroi Tela.
Gazetari shtoi se tani vëmendja është te mënyra si do të veprojë SPAK dhe si do të reagojë qeveria apo Kuvendi ndaj zhvillimeve të mëtejshme.
“Tani mbetet për t’u parë nëse do të ketë një veprim nga SPAK-u dhe si do të sillet më pas qeveria apo maxhoranca”, përfundoi ai.
